Konfirmohet fillimi i projektit të elektrofiltrave dhe DeNOX-it në prill 2026

Projekti për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOX në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B do të fillojë në prill të vitit 2026 dhe do të zgjasë rreth tetë muaj.
Sipas kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Gramos Hashani, ka thënë se ky projekt paraqet një nga investimet më të rëndësishme mjedisore në sektorin energjetik, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht për banorët e zonave përreth termocentralit.
“Projekti ka kaluar nëpër disa sfida gjatë viteve të fundit, përfshirë pandeminë, krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve, si dhe nevojën për finalizimin e amendamenteve kontraktuale, të cilat kanë qenë jashtë kontrollit të KEK-ut, duke qenë se KEK është përfitues i projektit”, ka thënë Hashani në një intervistë për ATV, transmeton KosovaPress.
Ai ka sqaruar se marrëveshjet përfundimtare janë arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe konsorciumit të kontraktuar, në përputhje me protokollet e tyre përkatëse, ndërsa KEK në vazhdimësi ka insistuar që projekti të nisë sa më herët që të jetë e mundur.
“Lajmi i mirë është se projekti do të fillojë vitin e ardhshëm”, ka deklaruar kryeshefi i KEK-ut, duke nënvizuar përkushtimin e institucionit për zbatimin e projekteve mjedisore dhe përmirësimin e performancës së termocentraleve në përputhje me standardet evropiane.
KEK mbetet e përkushtuar që përmes këtij dhe projekteve të tjera strategjike të reduktojë ndotjen, të rrisë standardet mjedisore dhe të sigurojë prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin.
